Përshkrim
Hudhra është një bimë barishtore njëvjeçare ose shumëvjeçare, me origjinë të hershme nga India ose vendet e Azisë Qendrore por tejet e kultivuar në të gjithë botën. Ajo përdoret gjerësisht në kuzhinën mesdhetare dhe atë orientale për të pasuruar shijen e gatimeve të ndryshme nëpërmjet shijes dhe aromës së saj karakteristike intensive. Në Shqipëri ajo nuk mungon pothuajse në asnjë shtëpi dhe përdoret gjerësisht në kuzhinën shqiptare.
Karakteristikat e bimës
Bima e hudhrës ka një lartësi jo më të madhe se 50 cm, me një kërcell të lulëzuar. Gjethet janë të forta dhe të sheshta deri në 1 cm të gjera dhe 15 cm të gjata. Lulja ka një nuancë të luleve të trëndafilit të bardhë lehtësisht në të gjelbër.
Përbërësit e hudhrës
Hudhra përmban vaj esencial të përbërë nga alina, allinaza, allicina, acheno, antioksiduesin selen, jod, kalcium, magnezium, hekur, fosfor, squfur dhe vitaminat A, B, B1, B2, B3, B3, B6. Tërësia e përbërësve të saj e shndërron hudhrën në një ilaç të fuqishëm për mjekësinë popullore me vlera të mëdha.
Mënyrat e konsumimit
Hudhra konsumohet e njomë, e thatë dhe në paketime të hudhrës së përpunuar të tharë dhe hudhrës pluhur.






