Angazhimi i diasporës në transferimin e njohurive bujqësore në Shqipëri
Dhoma e Biznesit të Diasporës Shqiptare, në funksion të misionit të saj për krijimin e frymës mbarëshqiptare të bashkëpunimit ekonomik, u angazhua në konceptimin, zhvillimin dhe tashmë zbatimin e projektit: “Angazhimi i diasporës në transferimin e njohurive bujqësore në Shqiperi”. Ky projekt u konceptua bazuar në rëndësinë dhe ndikimin e sektorit të bujqësisë në gjithë spektrin ekonomiko-social të vendit dhe në analizën e ndikimit të pandemisë në ketë sektor. Bazuar në të dhënat e INSTAT “Për rritjen ekonomike të 3-mujorit të fundit 2020”, u vërtetua rëndësia shumëplanëshe në gjithë zinxhirin ekonomik të produkteve të konsumit bazë që i referohen kryesisht potencialit dhe funksionimit të sektorit të bujqësisë dhe blegtorisë, pasi edhe në periudhën më të vështirë ekonomike të vendit, ky sektor arriti të sigurojë mbulimin e nevojave të tregut të brendshëm dhe njëkohësisht prodhoi produkte me standarde reference evropiane për tregun e jashtëm me rezultat 0.3% rritje të eksporteve dhe me një ndikim pozitiv prej 0.7% në PBB të vendit. Pavarësisht potencialit ekzistues natyror dhe ndikimit pozitiv të lehtësirave fiskale shtetërore në këtë sektor, Dhoma e Biznesit të Diasporës Shqiptare vlerëson se çdo kontribut për konsolidimin e konkurrencës progresive, përafrimin e cilësisë së produkteve bujqësore me standartet e tregjeve ndërkombëtare, zgjerimin e kapaciteteve prodhuese dhe përpunuese nëpërmjet aplikimit të praktikave dhe teknikave novatore, rritjen e profesionalizmit dhe kompetencës do të ndikojë prekshëm në zhvillimin e qëndrueshëm rural, gjenerimin e punësimit dhe tërheqjen konkrete të vëmendjes së investitorëve potencialë drejt sektorit të bujqësisë.
Metodologjia e projektit është sigurimi i përfshirjes konkrete të diasporës dhe promovimi i shërbimeve dhe produkteve bujqësore në Shqipëri duke mbështetur fermerët të bëhen proaktivë dhe të orientuar drejt tregut duke mësuar të identifikojnë trendet dhe mundësitë për produktet vendase me vlerë të shtuar, të shfrytëzojnë iniciativat e marketingut për promovim si edhe të ndikojë në rritjen e përfshirjes së prodhuesve në hartimin e strategjive për të tërhequr mbështetjen e Diasporës për Shqipërinë. Dhoma e Biznesit të Diasporës Shqiptare është përkujdesur në përzgjedhjen e partnerit të saj në projekt, “Shoqatën e Kultivuesve në Itali” (ACI) duke vlerësuar kapacitetet dhe standardet e larta të njohurive, teknikat dhe praktikat avangard të testuara, përdorimin e instrumenteve të miratuara nga Bashkimi Evropian nëpërmjet strategjisë “Fermë për pirun” në mbrojtje të biodiversitetit dhe zhvillimit të qëndrueshëm në bujqësi brenda kuadrit të Marrëveshjes së Gjelbër, si edhe të aktivizojë Diasporën Shqiptare në Itali nëpërmjet “Shoqatës së Kultivuesve të Italisë” (ACI) për rritjen e kapaciteteve dhe zgjerimin e rrjetit për informimin, kontributin dhe lehtësimin e transferimit të njohurive në përgjithësi dhe në sektorin e bujqësisë në veçanti.
Me anë të projektit “Angazhimi i diasporës në transferimin e njohurive bujqësore në Shqipëri”, Dhoma e Biznesit të Diasporës Shqiptare do të bëjë të mundur transferimin efiçent të njohurive avangard në bujqësi të diasporës shqiptare, kryesisht asaj në Itali, drejt sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme bujqësore në Shqipëri. zonave rurale të Kavajës, Durrësit dhe Përmetit.
Transferimi i dijeve do të realizohet nëpërmjet trajnimit teorik dhe praktik të fermerëve, demonstrimin në terren, organizimin e aktiviteteve të shpeshta të shkëmbimit (takime online) midis përfaqësuesve të Diasporës në Itali dhe homologëve shqiptarë në këtë projekt, DhBD, njësive bujqësore perfituese nga “Made with Italy”, pasurimin e informacionit dhe promovimit të produkteve përgjatë jetës së projektit duke i publikuar në vazhdimësi në platformën elektronike diasporanamëson.al. në shërbim të sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme në bujqësi. Për të arritur jo vetëm rezultate të larta në përçimin e njohurive tek fermerët shqiptarë por edhe për të stimuluar interesin e investitorëve potencialë, do të zhvillohen një seri aktivitetesh që startojnë më 2 workshope të përqendruara në teknologjinë e kultivimit të shegës, të ullirit dhe teknikave të përpunimit dhe nënproduktet përkatëse, komunikim i vazhdueshëm mentorues me pjesëmarrje të hapur për të gjithë të interesuarit, promovim i produkteve bujqësore dhe nënprodukteve përkatëse nga përpunimi, demonstrim në terren për trajtimin e bimës nga specialistë të çertifikuar Italianë si edhe regjistrimet materializuese në video ilustruese. Pasqyrimi i tërësisë së infomacionit të gjeneruar nga zhvillimi i aktiviteteve të projektit në platformën web, lehtësisht i aksesuesshme për publikun e gjerë do të përbëjë një dritare njohurish të vyera për fermerët shqiptarë.
Strategjia e projektit orientohet nga parimet horizontale sikurse:
- Zhvillimi i qëndrueshëm
- Mundësi të barabarta dhe jo diskriminuese
Objekti parësor i zbatimit të projektit janë sipërmarrjet anëtare të Dhomës së Biznesit të Diasporës që zhvillojnë aktivitetin në bujqësi dhe në industrinë përpunuese të zonave rurale të Kavajës, Durrësit dhe Përmetit, si edhe sipërmarrje përfituese të projektit “Made with Italy” të realizuar nga Agjencia Italiane e Bashkëpunimit dhe Zhvillimit (AICS), të cilët do të krijojnë mjedisin ku do të shpalosen dhe aplikohen njohuritë dhe teknikat e avancuara të diasporës në bujqësi si edhe ku do të kryhet demonstrimi në terren.
Projekti zhvillohet në përputhje dhe pasqyron realisht Dokumentin e Programit “Mbështetja e fuqizimit dhe angazhimit të Diasporës Shqiptare 2020 – 2024”, një iniciativë e Ministrit të Shtetit për Diasporën dhe kontribuon në mënyrë specifike në Komponentin III: “Sipërmarrja dhe investimet e përbashkëta për rritjen gjithëpërfshirëse” dhe objektivat e tij të përgjithshëm:
– Lidhja më e fortë e Diasporës me Shqipërinë në planin afatgjatë
– Transferimi i njohurive (transferimi i përqendruar i njohurive dhe aftësive si mundësi me kontribut të jashtëzakonshëm në adresimin e nevojës më urgjente të zhvillimit të Shqipërisë – atë të rritjes ekonomike dhe punësimin)
Strategjia e projektit do të drejtohet nga parimet horizontale të zhvillimit të qëndrueshëm dhe mundësi të barabarta dhe jodiskriminuese.
Projekti jep një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e qëndrueshëm si nga pikëpamja mjedisore, sociale dhe ekonomike krahas ofrimit të mundësive të barabarta jo-diskriminuese të cilat do te përshkojnë çdo aktivitet në respektim të Integrimit Gjinor të miratuar nga Traktati i Amsterdamit, mundësi të barabarta për burrat, gratë dhe personat me aftësi të kufizuara si edhe grupet e cenueshme, gratë dhe të rinjtë do të përfshihen në proceset e punës për të çuar në një nivel më të lartë integrimin dhe vetë-qëndrueshmërinë e tyre.


