Origjina. Shega ose ndryshe “molla e Kartagjenës”, në latinisht Punica Granatum, mendohet se e ka origjinën nga Mesopotamia pjellore, ku ajo filloi të kultivohej prej më herët se 4,000 vjet P.K. dhe prej andej udhëtoi në Perëndim, prandaj është një nga frutat e para që rritet në mënyrë sistematike në botë. Tregtarët arabë e sollën atë në Spanjë – madje sipas një versioni qyteti i Granadës u emërua për nder të shegës – dhe nga atje spanjollët e përhapën atë në Amerikë.
Origjina e shegës në Shqipëri po shqyrtohet nga shkencëtarët europianë dhe shqiptarë, pasi në territorin shqiptar, në zonën bregdetare, me shtrirje 300 km veri-jug, veçanërisht në zonën Lezhe – Milot, gjenden formacione pyjore me shegë të egra. Në studimin që ka filluar në vitin 1995, është hedhur ideja se disa lloje të shegëve të buta që kultivohen në Shqipëri e kanë origjinën nga shegët e egra vendase, si rrjedhojë e një seleksionimi të gjatë. (Xhuveli, 2012). Ky studim vazhdon të plotësohet edhe me analizat e testet gjenetike bashkëkohore. Fruti i shegës është përdorur që nga koha e Hipokratit. Mjekësia tradicionale përdor lëkurën, gjethet dhe farat e saj për të luftuar diarrenë, dizenterinë kronike dhe plagët. Farat e pabëra përdoren për temperaturën, ndërsa të pjekurat për kollën. Në Romën Antike, ajo ishte e njohur gjithashtu për cilësitë kozmetike të saj. Kleopatra e Egjiptit përdorte lëngun e saj në fytyrë, në flokë dhe në thonj.
Përbërja kimike
Fryti i shegës përbëhet nga tre pjesë kryesore dhe secila pjesë ka karakterin e saj botanik dhe kimik. Këto janë farat, lëngu dhe lëvorja. Fruti është i pasur me vitamina A, B, C dhe minerale si fosfor, kalcium, magnez, kalium, bakër, hekur, silic, natrium, squfur, zink, etj. Gjithashtu shega përmban në sasi të mëdha antioksidantin selen i cili është jashtëzakonisht i ulët për nga kaloritë.
Pjesa më e madhe e analizave kimike të shegëve është përqëndruar në lëngun, perikarpin dhe vajin e farave. Lëngu përmban sasi të mëdha taninash hidrolitike (acid galik dhe ellagjik), antocianinë (cianidinë, delfinidinë, pelargonidinë), si dhe acide fenolike (acid kafeik, acid klorogjenik). Lëvorja përmban substanca të tilla si luteina, kuercetina, kamforoli dhe naryzenina në sasi të mëdha.
Vaji i farave përmban rreth 60% acid α-punik, një antioksidant i fuqishëm dhe përdoret kryesisht në prodhimin e kozmetikës, për shkak të vetive të tij zbutëse, ushqyese, përtëritëse, qetësuese dhe shëruese. Farat e shegës gjithashtu kanë përmbajtjen më të lartë të estrogjenit të mbretërisë së perimeve duke arritur 17mg / kg fara të thata. Ekziston një interes në rritje për perspektivën e vajit të shegës si një fitoestrogjen i fuqishëm dhe potencialin e tij për të parandaluar kancerin – veçanërisht kancerin e gjirit.









